Nga diagnostikimi te kujdesi pas trajtimit: Si po menaxhohen pacientët kronikë në Spitalin e Pejës?
Shkruan: Majlinda Bytyqi
Sëmundjet kronike vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të sistemit shëndetësor në Kosovë, ndërsa trajtimi dhe menaxhimi i tyre kërkon kujdes të vazhdueshëm, kontrolle të rregullta dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe pacientëve.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Drejtori Mjekësor i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Dr. Shkumbin Berisha, ka folur për mënyrën se si zhvillohet trajtimi i pacientëve kronikë, sfidat me të cilat përballen dhe rëndësinë e kujdesit pas daljes nga spitali.
Ai ka theksuar se rastet me hipertension arterial dhe diabet mbeten ndër më të shpeshtat në rajonin e Pejës, ndërsa ka potencuar se vetëdijesimi i pacientëve, kontrollet e rregullta dhe trajtimi i hershëm janë faktorë kyç në parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve kronikë.
Intervista e plotë:
Si funksionon rrugëtimi i pacientit kronik në Spitalin e Pejës, nga momenti i diagnostikimit deri tek ndjekja pas trajtimit?
Dr. Shkumbin Berisha: Fillimisht pacientët në Spitalin e Pejës pranohen për trajtim dhe diagnostifikim në dy mënyra: si rast urgjent nëpërmjet Emergjencës, si pasojë e ndonjë përkeqësimi akut të sëmundjeve kronike, apo pas vizitës në ambulancën specialistike, ku mjeku specialist përkatës e vlerëson se pacienti ka nevojë për trajtim spitalor. Pas pranimit në spital fillohet me ekzaminime shtesë të nevojshme për diagnostifikim më të saktë dhe trajtim korrekt. Përveç këtyre, aty kryhen edhe konsultat e nevojshme eventuale nga mjekët tjerë specialistë dhe pas kompletimit të ekzaminimeve dhe vendosjes së diagnozës përfundimtare mund të ndryshojë eventualisht edhe trajtimi fillestar, gjithmonë në bazë të indikacioneve mjekësore. Ajo çka është me rëndësi është që kemi një staf të përgatitur të mjekëve specialistë në të gjitha fushat, që janë shumë profesionalë dhe të përgatitur për diagnozën dhe trajtimin e pacientëve. Pas përfundimit të trajtimit në spitalin tonë pacienti lirohet për trajtim shtëpiak ose dërgohet për trajtim terciar në bazë të indikacionit mjekësor.
Cilat janë problemet më të shpeshta që hasin pacientët me sëmundje kronike gjatë trajtimit dhe menaxhimit të sëmundjes së tyre?
Dr. Shkumbin Berisha: Ndoshta problemi fillestar është që gjatë diagnozës fillestare nga mjeku specialist, disa pacientë nuk e pranojnë që janë diagnostifikuar me një sëmundje të caktuar dhe si pasojë e “fazës mohuese fillestare” ata vonojnë fillimin e trajtimit dhe ky është një problem i madh në trajtim dhe menaxhim. Problem tjetër mendoj që është edhe trendi që shumë pacientë të shtyrë në moshë po jetojnë vetëm dhe pa përkrahje nga familjarët më të rinj në moshë dhe ky është një problem tjetër që pacientët me sëmundje kronike kanë vështirësi dhe probleme në menaxhim të sëmundjeve.
A ka rritje të rasteve me sëmundje kronike në rajonin e Pejës dhe cilat janë sëmundjet që paraqiten më shpesh?
Dr. Shkumbin Berisha: Po ka rritje të rasteve të sëmundjeve kronike në rajonin tonë, ndërsa sëmundjet që paraqiten më shpesh janë hipertensioni arterial, diabeti, pastaj janë edhe rastet me probleme të traktit gastrointestinal si gastriti kronik etj. Për shembull, nga tetori i vitit të kaluar deri në marsin e këtij viti, në periudhë gjashtëmujore kemi pasur të shtrirë në repartin internistik 99 pacientë me diabet dhe 372 pacientë me hipertension arterial. Por nga këndvështrimi tjetër mund të themi që nuk ka edhe rritje signifikante të rasteve, por tek një pjesë e popullatës kemi ngritje të vetëdijes në aspektin e kujdesit ndaj shëndetit dhe në këtë mënyrë, si pasojë e kontrolleve të hershme dhe të rregullta, kemi diagnozë më të hershme të sëmundjeve kronike dhe në dukje mund të krijohet përshtypja që kemi rritje të rasteve.

Sa ndikon mungesa e kontrolleve të rregullta dhe mosinformimi në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve kronikë?
Dr. Shkumbin Berisha: Në disa raste mungesa e kontrolleve të rregullta ka ndikimin më të madh në përkeqësimin e gjendjes tek pacientët kronikë, sepse ka raste kur pacienti ka nevojë për ndërrim eventual të terapisë apo shtim të dozës së terapisë aktuale ose ka indikacion për ndonjë ekzaminim shtesë dhe pikërisht mungesa e kontrollës mjekësore në kohë ndikon që pacienti të përkeqësohet dhe si pasojë e kësaj mund të kemi edhe komplikime eventuale që pastaj janë më të vështira për trajtim dhe stabilizim të sëmundjes kronike.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet Spitali i Pejës në ofrimin e kujdesit të vazhdueshëm për pacientët kronikë?
Dr. Shkumbin Berisha: Si sfidë ndër më kryesoret mund të përmend mungesën e numrit adekuat të infermierëve në reparte të caktuara ku trajtohen pacientët me sëmundje kronike dhe kjo sjell mbingarkesë të madhe për infermierët e ndërrimit. Po ashtu mendoj që edhe mungesa e institucioneve publike që merren me pacientët geriatrikë është një sfidë, sepse rastet geriatrike po i mbingarkojnë shumë repartet përkatëse dhe si pasojë po ka mbingarkesë të theksuar. Sikur të kishte institucione përkatëse, atëherë ndoshta raste të tilla mund të trajtoheshin nga kujdesi primar dhe që njëkohësisht repartet përkatëse në spital do të kishin ngarkesë më të vogël dhe në mënyrë efektive do të rritej trajtimi për pacientët tjerë që kanë indikacion absolut për trajtim në nivelin sekondar.
Çfarë roli ka këshillimorja për pacientët me sëmundje kronike dhe sa po ndikon ajo në edukimin dhe vetëdijesimin e pacientëve?
Dr. Shkumbin Berisha: Roli i këshillimores për pacientët është i pazëvendësueshëm dhe, të jemi të sinqertë, na ka ndihmuar shumë. Nëpërmjet rolit të këshillimores dhe stafit që punon aty kemi një vetëdijesim të madh të pacientëve me sëmundje kronike dhe si rezultat i kësaj do të kemi rezultate më të mira në parandalimin e komplikimeve eventuale të sëmundjeve kronike, por po ka raste kur si pasojë e menaxhimit të mirë pas këshillave ka edhe raste të reduktimit të terapisë. I jemi mirënjohës dhe falënderues IHS-së për kontributin rreth këshillimores.
Në kuadër të këshillimores për diabet në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit janë edukuar dhjetëra pacientë me diabet mellitus tip 1 dhe tip 2.
Sipas të dhënave zyrtare, në janar janë edukuar 97 pacientë, në shkurt 73 pacientë dhe në mars 86 pacientë, duke arritur një total prej 256 pacientësh.

Sa është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet spitalit, mjekësisë familjare dhe komunitetit për ndjekjen e pacientëve pas daljes nga spitali?
Dr. Shkumbin Berisha: Ky bashkëpunim është më i rëndësishmi sepse për shkak të natyrës së punës së institucionit sekondar, siç është spitali ynë, është e pamundur që të përcillen pacientët rreth gjendjes së tyre shëndetësore në shtëpi pas daljes nga spitali, përveç vizitave specialistike të caktuara në ditën përkatëse në spital, dhe pikërisht rolin më të rëndësishëm e ka niveli primar dhe komuniteti. Ndoshta në të ardhmen duhet të kemi ndonjë regjistër apo numër të saktë të pacientëve që mjekësia primare të ketë pasqyrë më të qartë për këta pacientë në komunitet, qoftë me vizitat që mund të bëhen nëpër shtëpi tek njerëzit në moshë që janë të vetmuar apo qoftë vizitat në institucionet tjera private që përkujdesen për pacientët më në moshë e që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Çfarë duhet të përmirësohet në mënyrë që pacientët kronikë të kenë kujdes më të mirë dhe cilësi më të mirë të jetës?
Dr. Shkumbin Berisha: Personalisht mendoj që në vazhdimësi duhet të punojmë në parandalimin e sëmundjeve kronike në mënyra të ndryshme që kemi në dispozicion. Por siç e kemi potencuar më lart, nëse eventualisht jemi diagnostifikuar me ndonjë sëmundje është shumë e rëndësishme që të mos e mohojmë sëmundjen, por të fillojmë menjëherë me trajtimin e rekomanduar nga specialisti përkatës. Mendoj që këtu mund të përmirësohemi ende si shoqëri, sepse trajtimi më i hershëm sjell rezultat më të mirë në trajtim. Edhe pse duhet të pranojmë që kemi një përmirësim të dukshëm si shoqëri në kujdesin dhe trajtimin e këtyre pacientëve./Gazeta Shneta/
Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.











