Lajmet

Ndërtimi i një narrative pozitive për komunitetet: Koha për të luftuar diskriminimin dhe antigjipsizmin ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë


3530-title

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë vazhdojnë të përballen me paragjykime të shumta, që shpesh i izolojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ky stigmatizim ndikon në qasjen e tyre në arsim, punësim dhe shërbime të tjera thelbësore, duke krijuar një cikël të pabarazisë sociale.

Disa media, si pasojë e mungesës së informacionit, shpesh kanë qenë burim i përhapjes së këtyre stereotipeve, duke përforcuar idetë e gabuara që shoqërojnë këto komunitete. Mungesa e informacionit mbi kulturën dhe identitetin kombëtar të këtyre komuniteteve ka bërë që paragjykimet negative të rriten, duke çuar në diskriminim dhe përjashtim.

Për shkak të mungesës së informacionit të saktë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, mediat shpesh kanë përdorur termin "RAE" për t'i përshkruar ato si një grup të vetëm. Ky përdorim i termit është konsideruar i padrejtë dhe fyes nga vetë komunitetet, pasi injoron diversitetin dhe identitetin e tyre të veçantë. Secili nga këto tre komunitete ka kulturë, tradita dhe histori të dallueshme, dhe bashkimi i tyre nën një term të vetëm shkel të drejtën e tyre për vetëdeklarim dhe përfaqësim të drejtë.

Mungesa e informacionit të saktë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas ka krijuar një paragjykim të veçantë, duke i reduktuar këto komunitete vetëm në imazhe të cenueshmërisë, problemeve sociale dhe ekonomike, martesave të hershme dhe vështirësive të jetesës elementare. Këto skena janë bërë shpesh përfaqësuese në perceptimin publik, duke lënë në hije vlerat pozitive që këto komunitete ofrojnë. Në fakt, vlerat e tyre kulturore, kontributet sociale dhe sukseset individuale shpesh janë të injoruara dhe nuk janë promovuar mjaftueshëm nga mediat, duke forcuar kështu vetëm stereotipet negative.

Për të promovuar diversitetin dhe vlerat e përbashkëta që mban një shoqëri multikulturore dhe multietnike si Kosova, ndërtimi i një narrative pozitive është një hap vendimtar për krijimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet këtyre grupeve dhe shoqërisë më të gjerë.

Në fakt, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas kanë një trashëgimi të pasur kulturore, artistike, sportive dhe muzikore që dëshmon se ata janë popull punëtor, i urtë dhe paqësor. Këto komunitete kanë gjithashtu profesionistë në fusha të ndryshme, duke ruajtur zeje tradicionale si poçaria dhe farkëtaria, të cilat vazhdojnë të trashëgohen brez pas brezi. Përmes këtyre zejeve unike dhe kontributit të tyre të vazhdueshëm, këto komunitete luajnë një rol thelbësor në pasurimin e mozaikut kulturor të Kosovës.

Duke njohur situatën e pasluftës, shtet-ndërtimin dhe të gjitha etapat drejt zhvillimit të vendit, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas kanë qenë gjithmonë lojalë dhe pro zhvillimit të vendit. Ata kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në të gjitha etapat e shtet-ndërtimit të Kosovës. Ata ishin nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës pa kushte dhe kanë mbështetur përpjekjet për krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur.

Roli dhe ndikimi i mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera duhet të vazhdojë të ketë një ndikim të rëndësishëm në zvogëlimin e stereotipeve dhe në promovimin e multikulturalizmit si një forcë bashkuese. Për të luftuar stigmatizimin dhe për të ndihmuar në tejkalimin e barrierave që ndajnë komunitetet jo-shumicë nga pjesa tjetër e shoqërisë, është e domosdoshme që mediat të promovojnë aspektet pozitive dhe vlerat që këto komunitete kanë. Kjo përqendrohet në historitë e suksesit, kontributet e tyre kulturore dhe sociale, dhe përpjekjet për të kapërcyer sfidat historike.

Përmes përpjekjeve të përbashkëta, mund të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mundësi të njëjta për zhvillim dhe prosperitet të vendit.

Autor: Lendrit Qeli

Photo credits: Telegrafi

Share this Post: