Mungesa e skulpturave që u dedikohen grave në Kosovë dhe në Irlandën Veriore
nga Ardita ZEQIRI dhe Mary KELLY
Historia zakonisht shkruhet nga fituesit, dhe ata të gjithë janë burra!
Pabarazia gjinore është fatkeqësisht shumë e dukshme në shumë shoqëri post-konlikt në gjithë botën, ku është e vështirë të njihet roli i grave në ndërtimin e paqes. Kosova dhe Irlanda Veriore janë shembuj të mirë, ku ka një mungesë të dukshme të statujave për të nderuar figurat e grave në historitë respektive.
Statuja e Mbretëreshës Victoria. Bashkia, Belfast, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Në Irlandën Veriore ka një statujë të Mbretëreshës Victoria, që është e vendosur në një pozicion të dukshëm përballë Komunës së Belfastit. E zbuluar në vitin 1903, ishte vetëm viti 2024 kur asaj iu bashkuan edhe: Marry Ann McCracken dhe Winifred Carney.
Statuja e Mary Ann McCracken. Bashkia, Sheshi Donegall Veri, Belfast, Irlanda e Veriut. Projekti i Skulpturës së Artit në Mbretërinë e Bashkuar. © Allan LEONARD @MrUlster
McCracken ishte mbëshetëse e United Irishmen, një grup i krijuar nga vëllai i saj, Henry Joy McCracken, i cili më vonë u ekzekutua për rolin e tij në rebelimin e dështuar kundër pushtimit britanik në Irlandë, në vitin 1978.
Ajo ka punuar gjithë jetën kundër varfërisë dhe ka qenë një kundërshtare e apasionuar e skllavërisë, duke refuzuar madje që të hajë sheqer, sepse ishte produkt i tregëtisë me skllavë në plantacionet e West Indies.
Deri në moshën 80 vjeçare, ajo qëndronte në portet detare të Belfastit, ku i paralajmëronte emigrantët që iknin për në SHBA për të këqijat e skllavërisë. Ajo vdiq në vitin 1866, në moshën 96 vjeçare.
Norma Sinte, udhëheqëse e Fondacionit Mary Ann McCracken tha se statuja ishte një njohje e vonuar e trashëgimisë së McCracken dhe punës së saj për drejtësi sociale.
Fondacioni u ngrit në vitin 2019 për ta vazhduar punën e saj për të promovuar edukimin, barazinë dhe adresimin e disavantazhit, me bursa që u ndihmuan nxënësve në 12 shkolla fillore dhe të mesme të vazhdojnë edukimin në Universitet.
“Është një nderim i duhur për Mary Ann dhe padyshim do të ngrisë vetëdijen për jetën dhe trashëgiminë e saj”, ka thënë ajo.
Statuja e Winifred Carney. Bashkia, Sheshi Donegall Veri, Belfast, Irlanda e Veriut. Projekti i Skulpturës së Artit në Mbretërinë e Bashkuar. © Allan LEONARD @MrUlster
Winifred Carney ka bërë fushatë për të drejtën e grave për të votuar, ka qenë një sindikaliste, dhe një republikane e angazhuar për të përfunduar sundimin britanik në Irlandë. Ajo ishte një mike me James Connolly, një nga liderët e Kryengritjes së vitit 1916, që u ekzekutua nga britanikët.
Ajo u dëshpërua me Partinë Republikane, Sinn Fein, dhe më vonë iu bashkua Partisë Laburiste të Irlandës Veriore në vitin 1924.
Margaret WARD (Drejtore, WRDA), Agjencia e Burimeve dhe Zhvillimit të Grave organizoi seminarin, “Gratë: Ballafaqimi me të kaluarën; Workshop i përbashkët i mësimit”, Europa Hotel, Belfast. @SharedFuture @WRDAteam (c) Allan LEONARD @MrUlster
Historianja feministe, Dr Margaret Ward, e ka përshkruar Carneyn si një grua me shumë tipare.
“Ajo ishte gruaja e parë që u bë pjesë e Postës Qendrore gjatë Kryengritjes së Krishtlindjes, dhe e para grua në Belfast që garoi në zgjedhjet e përgjithshme”.
“Duke u martuar me një ish-pjesëtar të Forcës Vullnetare të Ulsterit dhe një veteran Somme, George McBride, ajo tregoi përkushtimin e saj për të ndërtuar një shoqëri sekulare e bazuar në parimet e barazisë dhe respektit.”
Para një dekade, dr.Ward e shkruajti një libërth “Nderimi për Gratë e Belfastit”, ku përfshiu shumë gra që kanë luajtur rol vital në historinë e qytetit, por janë injoruar nga autoritetet lokale.
“Sa më shumë që shohim gra, aq më shumë e kuptojmë kontributin e grave që kanë pasur për të kaluarën tonë dhe për kontributin që vazhdojnë ta japin për të ardhmen tonë. Ajo ka luajtur rol me fokusin e saj në drejtësinë sociale dhe ekonomike, me punën kundër skllavërisë dhe Carney, duke luftuar për gratë e klasës punëtore në një Irlandë të re”.
Skulptura "Ushtarja e panjohur" si një haraç për kontributin e grave në shoqëri. Prishtinë, Kosovë. © Ardita ZEQIRI
Injorimi i kontributit të grave
Kosova, sikurse Irlanda Veriore, ballafaqohet me nënpërfaqësimin e arritjeve të grave në fusha të ndryshme, në një narrativë historike që e injoron rolin e tyre vital.
Në Kosovë, si shenjë mirënjohje për kontribtuin e grave në shoqëri, një statujë me një fytyre gruaje është vendosur në lagjen Dardania, në kryeqytetin, Prishtinë. Për shumëkë, megjithatë, kuptimi i saj mbetet mister, pasi që nuk ka asnjë përshkrim se çka prezanton.
E financuar nga Komuna e Prishtinës, statuja u inaugurua me 8 mars 2022, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ajo më shumë jep përshtypjen e një gruaje që vuan sesa një e tillë që bartë krenari ose lavdi, siç bartin zakonisht figurat e burrave.
Nga 71 statuja, 552 lapidare, 96 buste dhe 87 memoriale në gjithë vendin, vetëm 2 statuja, 4 lapidare, 2 buste janë të dedikuara për gra, dhe asnjë memorial, sipas të dhënave të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Memorialeve të Kosovës.
Edhe këto monumente janë kryesisht për gratë që kanë qenë ushtare, ose martire të luftës, me shumë pak njohje të kontributit të grave në fushat e tjera.
Arjeta Miftari, skulptore, puna e së cilës është shfaqur në gjithë botën, beson se fakti që gratë nga fushat e tjera janë lënë anash, ka të bëjë me faktin që njerëzit joadekuatë i drejtojnë institucionet.
“Nëse institucionet kulturore do të kishin njerëzit e duhur dhe do të çmonin kontributin, ata do të bënin propozime për të ndërtuar statuja edhe për individë që ende jetojnë, e që kanë dhënë kontribut në kohëra të ndryshme”.
Statuja e Shën Nënë Terezës në sheshin kryesor të Prishtinës, Kosovë. © Ardita ZEQIRI
Në mesin e pak grave të nderuara me statuja janë fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Shënjtorja Katolike Nëna Terezë, fituesja e medaljes së artë olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi si dhe kryengritësja shqiptare e shekullit XX, Shotë Galica.
Memoriali i “Heroinave” kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Prishtinë, Kosovë. © Ardita ZEQIRI
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina gjithashtu ka ndërtuar monumentin Heroinat bashkë me një park, për të nderuar 20.000 viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.
Megjithatë, nuk ka ndonjë të dhënë se sa gra kanë shërbyer në Ushtrinë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), në luftën e viteve 1998-99.
Arjeta Miftari, thotë se situata është e njëjtë edhe në rajone tjera.
“Nuk mendoj se ka pasur ndonjë rritje të ndërgjegjësimit për të njohur kontributin e grave, pasi që gratë që duhet të jenë në pozita udhëheqëse për ta kërkuar këtë, nuk janë aty”.
Vesma STAJIC. Foto e përdorur me leje.
Vesna Stajic, një aktiviste e të drejtave të grave serbe në Kosovë, dhe drejtoreshë e strehimores së parë për gratë serbe, Women’s Inclusive Center në Artana/Novo Brdo, thotë se duke konsideruar numrin e monumenteve për të nderuar kontributin e grave në Kosovë, duket se “na mungojnë emra të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës”.
“Duket sikur gratë nuk kanë dhënë kontribut të dukshëm për ndryshimet pozitive në Kosovë”.
Stajic thotë se shoqëria e Kosovës ende jeton në të kaluarën, me politikanë që kërkojnë mbështetje nga votuesit në bazë të raporteve të këqija ndëretnike dhe konfliktet nga e kaluara.
Stajic rikujton se në Mitrovicë, një qytet tani i ndarë në pjesën e dominuar me serbë në veri, dhe pjesën e dominuar me shqiptarë në jug – dikur ekzistonte busti i partizanes, Silvira Tomazini përballë gjimnazit që mbante emrin e saj. Shkolla pas vitit 1999 u riemërua “Frang Bardhi” dhe gjendet në pjesën jugore të qytetit.
Silvira TOMASINI. Image byBaarby – Punë e juaja, CC BY-SA 4.0
E lindur në vitin 1913 nga prindër sllovenë, Tomazini ishte e përfshirë në lëvizjen komuniste kundër nazistëve. Fillimisht, ajo u bë anëtare e Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë dhe më pas iu bashkua Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Tomazini punoi si mësuese e gjuhës gjermane në një shkollë të mesme në Mitrovicë, duke filluar nga viti 1940. Ajo u vra nga forcat naziste në vitin 1942.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, shumë monumente dhe simbole nga epoka socialiste, duke përfshirë bustin e saj, u larguan dhe u zëvendësuan me të reja.
Nderimi i figurave të grave në epokën moderne
Historia e fundit e Kosovës që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, ka prodhuar një numër grash që e kanë vendosur Kosovën në hartë. Këtu përfshihen artistë me famë globale si Dua Lipa, Rita Ora, dhe Era Istrefi, sikurse edhe medalistet olimpike. Megjithatë, gruaja e vetme me statujë është Majlinda Kelmendi.
Busti i ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright në Prishtinë, Kosovë. © Ardita ZEQIRI
Kosova në disa raste ka njohur kontributin e grave të huaja. Për shembull, një bust i Madeleine Albright, ish-sekretare amerikane e shtetit gjatë bombardimeve të vitit 1999 kundër Serbisë, ka një statujë në kryeqytetin e Kosovës.
Shkolla fillore Laura Scotti në Fushë Kosovë, Kosovë. Foto është marrë nga Gëzim BERISHA (Drejtor i shkollës).
Për më tepër, një shkollë fillore në qytetin e vogël, Fushë Kosovë afër Prishtinës, mban emrin Laura Scotti, një aktiviste humanitare që vdiq në nëntor 1999 në veri të Kosovës, derisa po dërgonte ndihma. Scotti kishte ndihmuar që të ndërtohej ajo shkollë, prandaj shkolla u emërua ashtu në nderim të saj.
Rritja e vetëdijes për kontributin e grave
Përveç mungesës së monumenteve, Agjencia për Menaxhimin e Memorialave thotë se ka një trend në rritje për të njohur kontributin e grave në shoqëri.
“Ka një trend në rritje dhe kërkesa të shoqërisë civile për më shumë monumente për të njohur rolin e grave në historinë e përpjekjet e Kosovës”
Vesna Stajic thotë se më të neglizhuarat janë aktivistet gra në shoqërinë civile që “kanë kushtuar pa egoizem kohën e tyre për të mbështetur ndryshimet pozitive ne shoqëri, që shumë shpesh janë të ngadalshme dhe pak të dukshme, por që prodhojnë themel të fortë për transformim afatgjatë”.
Në Stormont, selia e qeverisë në Irlandën Veriore, janë dy gra në krye të Ekzekutitvit për ndarjen e pushteit, Michelle O’Neill nga Sinn Fein, partia që punon për një Irlandë të Bashkuar, dhe Emma Little-Pengelly nga partia bro-britanike Partia Unioniste Demokratike, si zëvendëskryeministre.
Mo Mowlam Playpark. Stormont Estate, Belfast, Irlanda e Veriut. © Allan LEONARD @MrUlster
Por, Mo Mowlam Playpark është nderimi i vetëm për një politikane këtu. U emërua për nder të ish Sekretares së Shtetit të Irlandës Veriore, Marjorie “Mo” Mowlam, e cila nisi iniciativën për ndërtimin e çerdhes për fëmijë aty.
Porterti i saj, i bërë nga John Keane, gjendet në Londër në Galerinë Kombëtare të Portreteve. Ndoshta një ditë kontributi i saj i madh për paqen në Irlandën Veriore do të njihet me ndonjë statujë në Stormont.
Narrativa historike shpesh lë anash kontributin e grave, sidomos në shoqëri post-konflikti si Kosova dhe Irlanda Veriore, ku statujat dhe memorialet që nderojnë kontributin e grave janë të pamjaftueshme.
–
Ky artikull është pjesë e një serie të bashkëshkruar nga pjesëmarrës nga Kosova dhe Irlanda e Veriut në kuadër të një projekti të gazetarisë paqësore, Raportimi mbi një të kaluar të trazuar, i nisur dhe organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet me Shared Future News, me financim nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Faktet e paraqitura dhe pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe editorialisht të pavarura nga çdo donator.











