Mbahet trajnimi për raportimin mbi qeverisjen lokale dhe komunat
Fundjavën e kaluar, gazetarë nga media të ndryshme, kryesisht lokale, morën pjesë në një trajnim të përqendruar në raportimin mbi qeverisjen lokale dhe komunat, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe profesionalizmit në mbulimin e çështjeve lokale.
Trajnimi, i udhëhequr nga Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, dhe Besnik Velija, gazetar dhe redaktor në Gazetën Express, përfshiu një kombinim të teorisë dhe praktikës. Përmes diskutimeve dhe shembujve konkretë, pjesëmarrësit shqyrtuan sfidat e raportimit në nivel lokal, duke u fokusuar në buxhetimin, qasjen në dokumente publike dhe përdorimin e burimeve të hapura të të dhënave.
Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre profesionale dhe mësuan teknika për identifikimin dhe verifikimin e burimeve të informacionit, duke theksuar të drejtat ligjore për qasjen në informacionin publik dhe qasjet më efektive për të mbuluar sistemin institucional.
Ky trajnim u organizua nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me projektin DEMOS – një nismë për decentralizimin dhe përkrahjen e komunave, e cila bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Zvicra, Suedia dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovë.











