Mbahet sesion informues për raportimin e ndjeshëm gjinor në çështjet pronësore
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të mërkurën në bashkëpunim me USAID Kosovo dhe Kosova - Women 4 Women, mbajtën një sesion informues për studentë të gazetarisë dhe gazetarë për raportimin e ndjeshëm gjinor në qasjen e grave në pronë dhe trashëgimi.
Në këtë takim, pjesëmarrësit fillimisht u njohën nga afër me punën e K- W4W – që e prezantoi Besa Kasneci ndërsa pjesën për ndërgjegjësim Besa Canolli, dhe TetraTech si pjesë e USAID – që e prezantoi Maria Berishaj, e më pastaj diskutuan edhe për domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit të publikut për qasjen e barabartë gjinore në pronë e trashëgimi.
Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, gjithashtu njoftoi kolegët se pa këtij sesioni informues nga i cili do të realizohen edhe disa shkrime, e kronika do të ndahet një çmim për raportimin më të mirë e përgjegjshëm gjinor për çështjet pronësore në Çmimet Vjetore të AGK-së, që do të mbahen në javën e parë të muajit dhjetor.
Takimi i së mërkurës shënon fillimin e bashkëpunimit të AGK-së, TetraTech dhe K-W4W, për raportimin e ndjeshëm gjinor për çështjet pronësore.