Human Rights Watch: Mbrojtje e dobët për gazetarët në Kosovë
Organizata Human Rights Watch ka vënë në pah fushatat shpifëse dhe mbrojtjen e dobët ndaj gazetarëve në raportin vjetor për të drejtat e njeriut.
Në pjesën e mediave, HRW përmend incidentet e regjistuara nga AGK-ja, renditjen në vendin e 99 të Kosovës në raportin e Reporterëve pa Kufij, dhe veçon incidentin kur gazetari i T7, Genc Godanci u pengua fizikisht nga mbrojtja e afërt e kryeministrit, Albin Kurti.
Teksti i plotë për mediat në raport:
Liria e Medias
Gazetarët vazhduan të jenë subjekt i kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punës së tyre. Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 54 incidente ndaj gazetarëve, përfshirë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste të ngacmimit, gjuhës së urrejtjes ose fushatave shpifëse, kryesisht nga figura politike.
Reporterët pa Kufij (RSF) e renditi Kosovën të 99-tën nga 180 shtete në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, një rënie prej 24 vendesh krahasuar me vitin e kaluar, duke e bërë atë renditjen më të ulët në rajonin e BE – Ballkan Perëndimor.
RSF vuri në dukje rritjen e ndërhyrjes politike, fushatat shpifëse, qasjen e kufizuar në informacion, rregullimin abuziv dhe mbrojtjen e dobët për gazetarët.
Në shkurt, sigurimi i Kryeministrit Albin Kurti e pengoi fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, teksa ai tentoi ta pyeste atë për Indeksin e Lirisë së Medias të RSF-së.











