Fotogazetaria ndër vite: Nga gazetat te inteligjenca artificiale
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, organizoi mbrëmjen e 19 tetorit aktivitetin “Fotogazetaria ndër vite: Nga gazetat te inteligjenca artificiale”, në ambientet e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë.
Në kuadër të aktivitetit u hap edhe ekspozita me fotografi të realizuara nga fotografi dhe videografi Enis Imeri, gjatë vizitës së tij në Amsterdam dhe pjesëmarrjes në World Press Photo Festival. Enisi ndau me të pranishmit përvojat, përshtypjet dhe rrëfimet nga kjo vizitë, e realizuar si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet AGK-së dhe Ambasadës së Holandës për mbështetjen e fotogazetarisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Astrid de Vries, theksoi rëndësinë e mbështetjes së fotogazetarëve dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit me AGK-në, i cili përfshin edhe iniciativat për vlerësimin dhe promovimin e fotografisë, që ka filluar gjatë vitit 2025.
Aktiviteti u udhëhoq nga Naile Dema Selmani, Nënkryetare e Bordit të AGK-së, ndërsa paneli i diskutimit, i moderuar nga Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, mblodhi gazetaren dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, fotoreporterin Ridvan Slivova, gazetaren Donika Shahini Lami dhe fotografin Enis Imeri. Diskutimi solli perspektiva të ndryshme mbi zhvillimin e fotogazetarisë ndër vite, nga koha e gazetave të shtypura dhe fotografisë analoge, deri te platformat digjitale dhe inteligjenca artificiale.
Panelistët ndanë përvoja personale nga puna në gazetari, duke u ndalur veçanërisht te sfidat me të cilat janë përballur gazetarët dhe fotoreporterët gjatë viteve ’90 dhe luftës në Kosovë. Ata rikujtuan vështirësitë e raportimit nga zonat e luftës, rreziqet gjatë dokumentimit të ngjarjeve dhe rëndësinë e fotografive si dëshmi historike, të cilat vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës kolektive.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe inteligjencës artificiale dhe ndikimit të saj në gazetarinë vizuale. Krahas mundësive që kjo teknologji ofron për përpunimin dhe organizimin e materialeve vizuale, u diskutuan edhe rreziqet që paraqesin imazhet e gjeneruara artificialisht, veçanërisht kur ato paraqesin protesta, konflikte apo ngjarje të tjera me interes publik. Panelistët theksuan rëndësinë e autenticitetit, verifikimit dhe edukimit medial, në një kohë kur publiku jo gjithmonë arrin t’i dallojë imazhet reale nga ato të krijuara përmes inteligjencës artificiale.
Mbrëmja vazhdoi me vizitën e ekspozitës dhe rrjetëzimin mes gazetarëve, fotoreporterëve, fotografëve dhe përfaqësuesve të organizatave vendore e ndërkombëtare.
AGK-ja dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë mbeten të përkushtuara në promovimin e fotogazetarisë, mbështetjen e profesionistëve të kësaj fushe dhe ruajtjen e fotografisë autentike si një prej formave më të rëndësishme të dokumentimit dhe informimit publik.











