Lajmet

EDICIONI I 14-TË I NDARJES SË ÇMIMEVE VJETORE TË GAZETARISË PËR VARFËRINË


2231-title

PRISHTINË, 14.10.2019 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina , filloi fjalimet me moton e eventit në fjalë.

“Mbani varfërinë në faqen e parë, jo rastësisht është moto e eventit të sotëm. Sepse janë pikërisht kolegët tonë gazetarë, xhirues e fotoreporterë ata të cilët më së shumti kontribuojnë në luftimin e varfërisë në shtetin tonë. Në fakt më shumë se nga kolegët tonë, janë politikanët kosovarë ata nga të cilët është dëgjuar premtimi “do ta luftojmë varfërinë”, mirëpo ky premtim vetëm është dëgjuar, dhe atë kryesisht gjatë fushatave paraelektorale. Ndërkaq, kolegët tonë vërtetë kanë punuar që jo vetëm t’iu ndihmojnë mijëra familjeve në nevojë por edhe ta zgjojnë ndërgjegjen e heshtur të krerëve shtetëror karshi kësaj shtrese e cila çdo ditë vuan, jo për një jetë më të mirë por për mbijetesë.” - tha Begolli Pustina.

Në fjalën e saj, Ulirika Richardon - Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, falënderoi të gjithë për organizimin e kësaj ceremonie. Ajo gjithashtu tha se varfëria nuk luftohet vetëm me rritje ekonomike.

“Gazetarët njoftojnë pjesën tjetër të shoqërisë lidhur me këto rrëfime dhe në veçanti politikë bërësit, sepse kjo nuk arrihet vetëm me rritjen e zhvillimit ekonomik. Kemi parë që Kosova ka pasur rritje ekonomike, mirëpo nuk është shndërruar në vende të reja pune. Pra, ka të bëjë me sistemin e mbrojtjes sociale, i cili duhet të jetë më i nxitur dhe i zhvilluar”, shtoi Richardson.

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli për rolin e rëndësishëm të medieve në raportimin e temave të varfërisë.

“Mediet luajnë një rol krucial në zhdukjen e varfërisë, si një pushtet i katër në një shtet demokratik. Përmes raportimeve të tyre, gazetarët ndrisin vetëdijen për problemet e varfërisë në Kosovë dhe kërkojnë llogarinë institucioneve përgjegjëse në Kosovë në adresimin e këtyre problemeve dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohet shoqëria në tërësi”.

Së fundmi, Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Serb në Kosovë, Budimir Nicic, vuri theksin tek storjet nominuese.

“Këto storje të shfaqura gjatë kësaj ceremonie, duhet të dërgohen tek krerët më të lartë të shtetit, tek ata që kanë shkuar dhe tek ata që do të vijnë, që të shohin se në çfarë gjendje jetojnë qytetarët e këtij vendi” - tha Nicic.

Një prezantim të shkurtë nga një perspektivë tjetër, e bëri edhe Elizabeth Gowing, autore, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe themeluese e “The Ideas Partnership”.

Përpos fjalimeve në lidhje me temën e varfërisë, ndarjes së çmimeve, ngjarja u shoqërua edhe me një ekspozitë, fotografitë e së cilës, trajtuan gjithashtu çështjen e varfërisë. Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë kolegët tonë, fotoreporterët Hazir Reka, Driton Pararada, Jeton Sopa, Driton Bublaku, Xhemail Sllovinja, Arben Llapashtica dhe Neron Deshishku, për kontributin e tyre drejtë realizimit të kësaj ekspozite.

Organizimi i sotëm ishte paraprirje e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë që shënohet me 17 Tetor, e cila u caktua në bazë të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 2 dhjetor të vitit 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Share this Post: