Lajmet

Dy shkolla, një oborr - mes ndarjes e bashkëjetesës


3527-title

Një fshat në komunë e Vitisë, në juglindje të vendit, ka dy objekte shkollore që e kanë të përbashkët oborrin që ndodhet në hapësirën brenda dy shkollave.

Në fshatin Binçë ku jetojnë shqiptarët e serbët, rreth 3 kilometra larg nga qyteti i Vitisë, mësimi zhvillohet në dy sisteme arsimore e të dyja shkollat kanë gjithsej 8 nxënës, 4 serbë dhe 4 shqiptarë.

Banorët e këtushëm kanë lënë anash dallimet etnike dhe ndajnë oborrin që bashkon dy shkollat por kur vie koha e mësimit një zile bie për nxënësit shqiptarë dhe një tjetër për ata serbë.

Për shqiptarët, shkolla mban emrin “Ndre Mjeda” ndërsa për serbët “Mladen Markoviq” dhe në të dyja funksionojnë dy sisteme arsimore, ajo e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Serbisë.

Në oborrin që ndodhet një fushë sporti e përbashkët shpeshherë luajnë bashkë të gjithë nxënësit.

Ndonëse dy sitemet arsimore janë ndarja e parë mes dyja komuniteteve, përfaqësues të dyja shkollave shprehen se kanë komunikim të mirë ndërmjet vete dhe se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem në bashkëjetesë ndëretnike.

Procesi mësimor në shkollën “Mladen Markoviq” fillon në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa në shkollën “Ndre Mjeda” fillon në orën 8: 30 të mëngjesit.

Feriz Zeneli, i cili ka 30 vjet që punon si mësues në këtë fshat tregon për raportet që kanë me shkollën që ndajnë të njëjtin oborr.

|"Punojë që rreth 30 vite në këtë shkollë, sivjet kemi 4 nxënës në vetëm një klasë. Raportet me shkollën fqinje serbe janë të mira dhe kemi komunikim. Kemi aktivitete bashkë të lëndëve edukatë fizike dhe arte. Po ashtu marrim pjesë bashkë edhe në aktivitet e organizuar nga OSBE-ja. Nënësit tanë kohë pas kohe luajnë bashkë në oborr, kur kemi lëndën e edukatës fizike dhe mes vete nxënësit tanl kalojnë mjaft mirë me bashkëmoshatarët serb. Flas me mësimdhënësit serb, e di gjuhën, një pjesë edhe ata e dinë shqipen. Edhe pse jemi në një oborr mësojnë me kurrikula të ndryshme", thotë Zeneli.

Dejan Koiq, drejtor, thotë se objekti shkollor në fshatin Binçë është paralele e shkollës "Mladen Markoviq" që ndodhet në qytetin e Vitisë.

Sipas tij, aty mësojnë 4 nxënës të komunitetit serb teksa shprehet se kanë marrëdhënie të mira ndëretnike.

" Në Binçë kemi katër nxënës, mësimi zhvillohet në planprogramin e Serbisë. Bashkëpunimi është shumë i mirë me shkollën afër. Nuk kemi asnjë problem, nxënësit kalojnë mirë, në oborr shpesh luajnë bashkë. Nga komuna na mbështet në shpenzime si rrymën dhe internetin, me inventar jo, asgjë. Numri i nxënëve është i njëjtë si tash edhe më herët", tha shkurt drejtori Koiq

Por, pavarësisht rrethanave në aspekin arsimor, një afërsi e dukshme viher re me stafit teknik, në këto dy objekte shkollore.

Sllobodan Gjuriq dhe Marjan Selmani, të dy banorë të fshatit Binçë, të cilët punojnë qe mbi 10 vjet si mirëmbajtës, thonë se kanë raporte të mirë mes vete, flasin gjuhën e njëri-tjetrit dhe shoqërohen e pinë kafe bashkë edhe pas orarit të punës.

Në drejtorinë komunale të Arsimit në Viti shprehen se përkrahin të dyja shkollat sa i përket kushteve për mbarëvajtjen e mësimit.

Drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, ka thënë se aktualisht si DKA nuk kanë ndonjë projekt shkollor të përbashkët mes dy komuniteteve në këtë fshat por veçoi marrëdhënie tejët të mira ndëretnike në mes të personelit dhe nxënësve.

"Raportet janë të mira mes dy shkollave deri më sot nuk kemi pasur asnjë problem. Drejtoria e Arsimit ka përkrahur të dyja shkollat, në riparime e mirëmbajtje. Marrim përsipër shpenzimet si për shkollën ku mësojnë nxënësit shqiptar edhe në atë serbë. I shoqërojmë si komunë e DKA edhe në festa nxënësit e dyja shkollave. Nuk kemi asnjë problem mes dy komuniteteve sa i përket mbarëvajtjes së procesit mësimor, nxënësit shqiptarë mësojnë me kurrikulë të sistemit arsimor kosovar, e nxënësit serbë me kurrikulë tjetër", tha drejtoresha Ajeti.

Shkruan: Irfan Maliqi

Share this Post: