Lajmet

AGK përmbyll programin “Gratë, kujtesa dhe mediat: Mësimet nga Kosova për Ukrainën”


4202-title

Në kuadër të programit “Gratë, kujtesa dhe mediat: Mësimet nga Kosova për Ukrainën”, të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dy ditët e fundit të aktiviteteve iu kushtuan barazisë gjinore, traumës ndërbreznore, mbështetjes së të mbijetuarve të luftës, drejtësisë tranzicionale dhe raportimit të përgjegjshëm për të kaluarën.

Programi i ditës së parë nisi me një sesion të udhëhequr nga Maria Berishaj, gjatë të cilit u diskutua për barazinë gjinore në Kosovë, pozitën e grave në shoqëri dhe në jetën publike, si dhe sfidat me të cilat ato vazhdojnë të përballen më shumë se dy dekada pas luftës.

Në sesionin vijues, Donika Shahini trajtoi pasojat afatgjata psikologjike dhe sociale të luftës, me fokus të veçantë te gratë, trauma ndërbreznore, marrëdhëniet familjare dhe ndikimi i përvojave të luftës te gjeneratat e reja.

Dita vazhdoi me Selvi Izetin, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), me të cilën pjesëmarrësit diskutuan për përvojat dhe nevojat e të mbijetuarve, rehabilitimin, riintegrimin, stigmën dhe qasjen në drejtësi, si dhe rëndësinë e raportimit etik dhe të ndjeshëm ndaj traumës.

Dita e fundit e programit nisi me Vjollca Islami Hajrullahun, nga Pro Peace – Zyra në Kosovë, e cila udhëhoqi një sesion praktik për raportimin e ndjeshëm ndaj konfliktit dhe trajtimin e së kaluarës. Diskutimi u përqendrua në narrativat kundërthënëse, përdorimin e gjuhës së përgjegjshme, verifikimin e fakteve dhe shmangien e mënyrave të raportimit që mund të nxisin tensione apo të përforcojnë paragjykime.

Një pjesë e veçantë e programit ishte bashkëbisedimi me ish-Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë të cilit u diskutua për lidershipin e grave, ndërtimin e paqes, drejtësinë tranzicionale, trashëgiminë e luftës dhe angazhimin për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Bashkëbisedimi trajtoi gjithashtu përvojën e Kosovës në rindërtimin institucional dhe shoqëror pas luftës.

Programi vazhdoi me një sesion të udhëhequr nga Leonida Molliqaj, kushtuar raportimit të përgjegjshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Vëmendje e veçantë iu kushtua qasjes së ndjeshme ndaj traumës, pëlqimit të informuar, konfidencialitetit, gjuhës së përdorur gjatë raportimit dhe shmangies së ritraumatizimit dhe sensacionalizmit, duke vendosur dinjitetin e të mbijetuarve në qendër të punës gazetareske.

Programi u përmbyll me një diskutim të përbashkët, gjatë të cilit pjesëmarrësit reflektuan mbi përvojat, njohuritë dhe praktikat profesionale të shkëmbyera gjatë qëndrimit në Kosovë, si dhe mbi rëndësinë e këtyre mësimeve për gazetaret dhe profesionistet e mediave nga Ukraina.

Programi JiR Kosovo është pjesë e Zërave të Ukrainës, një projekt i zbatuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe i financuar nga Iniciativa Hannah Arendt.

Post Gallery

Share this Post: