Gazetarët në Rezidencë
Gazetarët në Rezidencë - është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias - ECPMF, dhe qëllimi i tij kryesor është që të ofrojë strehim të përkohshëm për gazetarët që përballen me shqetësime dhe intimidime të ndryshme që lidhen me punën e tyre.
Programi zgjatë tre deri në gjashtë muaj dhe ofron shpenzimet e akomodimit, shpenzimet e udhëtimit, mundësi rrjetëzimi me kolegët, hapësira pune, e të tjera.
Gazetarët në Rezidencë – Kosovë
Më 1 mars, Qeveria e Republikës së Kosovës nënshkroi një dekret për strehimin e përkohshëm të 20 gazetarëve nga Ukraina, në koordinim me Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF, dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve – EFJ, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.
Më 29 mars, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi, për implementimin e programit për një kohëzgjatje prej gjashtë muajve. Përgjatë kësaj periudhe kohore, AGK-ja ka për qëllim që t’i ndihmojë gazetarëve nga Ukraina që të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre si gazetarë.
Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF, më 11 prill 2022, hapi thirrjen për aplikimin e gazetarëve ukrainas për strehim në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë".