U mbajt trajnimi treditor i Programit të Mentorimit për gratë e reja gazetare
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mbajti trajnimin treditor në kuadër të "Programit të Mentorimit për Gratë e Reja Gazetare", duke mbledhur së bashku gazetare të reja, studente të gazetarisë dhe mentore me përvojë nga fusha e medias.
Përgjatë tri ditëve, pjesëmarrëset ndoqën gjashtë module të fokusuara në zhvillimin profesional dhe fuqizimin e tyre:
Barazia Gjinore – Maria Berishaj Sylejmani
Të Drejtat e Punës – Brikena Berisha
Pasojat e Traumave të Lidhura me Punën – Donika Shahini Lami
Shëndeti Mendor dhe Qëndrueshmëria – Gresa Miftari
Dezinformimi i Bazuar në Gjini – Rezarta Delibashzade Krasniqi
Siguria Online – Qëndresë Ramadani.
Gjatë trajnimit u organizua edhe takimi i parë ndërmjet mentoreve dhe gazetareve të reja, ku u krijuan çiftet e mentorimit që do të bashkëpunojnë gjatë muajve në vijim. Përmes këtij procesi, pjesëmarrëset do të kenë mundësi të përfitojnë mbështetje profesionale, këshillim dhe udhëzim praktik nga gazetare me përvojë.
Projekti synon të fuqizojë gratë e reja gazetare dhe studentet e gazetarisë, të rrisë kapacitetet e tyre profesionale, të forcojë sigurinë, mirëqenien dhe rezistencën ndaj sfidave me të cilat përballen, si dhe të ndërtojë një rrjet të qëndrueshëm solidariteti dhe bashkëpunimi mes grave në media.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në partneritet me Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës, mbetet i përkushtuar për të mbështetur vajzat dhe gratë në media, duke krijuar mundësi konkrete për avancimin e tyre profesional, zhvillimin e lidershipit dhe pjesëmarrjen e barabartë në gazetari.
Ky projekt është mundësuar me mbështetjen e Zyrës për Barazi Gjinore të UNMIK-ut.











