Trauma dhe shërimi: Si po adresohet dhuna gjinore në Gjakovë?
Shkruan: Jehona Hulaj
Dhuna mbi baza gjinore është një fenomen i pranishëm në shoqëritë moderne, që prek individët në shumë nivele dhe ka pasoja të thella për viktimat dhe për shoqërinë në përgjithësi. Ajo përfshin çdo akt dhune, përndjekjeje, abuzimi ose diskriminimi. Kjo formë dhune është shpesh pasojë e pabarazive strukturore dhe sociale që ekzistojnë mes gjinive.
Ajo mund të ndodhë në çdo hapësirë, qoftë në shtëpi, në vendin e punës, në shkolla, apo edhe në ambientet publike. Përveç pasojave të menjëhershme fizike dhe emocionale, dhuna mbi baza gjinore ka pasoja afatgjata për shëndetin mendor të viktimave. Ajo shkakton ankth, depresion, çrregullime të stresit post-traumatik dhe një ndjenjë të humbjes së vetëbesimit dhe dinjitetit.
Viktimat shpesh ndihen të pafuqishme për të ndryshuar situatën e tyre, duke përjetuar izolim social dhe, shumë herë, duke shmangur kërkimin e ndihmës për shkak të frikës nga gjykimi dhe stigma shoqërore.
Në kuadër të fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës mbi Baza Gjinore, në Gjakovë, institucione dhe organizata të ndryshme po punojnë ngushtë për të adresuar pasojat e dhunës gjinore dhe për të krijuar mundësi për rikuperimin dhe reintegrimin e viktimave në shoqëri.
Sipas Dervish Tahirit, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, dhuna gjinore është një "traumë që për pasojë ka dëmtimin e shëndetit dhe mirëqenies së viktimës". Ai theksoi gjithashtu se reagimi ndaj viktimave ndryshon nga rast në rast:
"Disa kanë forcë më shumë për të përballuar pasojat e dhunës, disa kanë vështirësi dhe nuk e përballojnë dot", u shpreh Tahiri.
Dhuna gjinore, veçanërisht dhuna psikologjike, ka pasoja afatgjata për viktimat, duke shkaktuar çrregullime të lidhura me marrëdhëniet shoqërore, depresion, ankth dhe çrregullime të tjera emocionale.
"Pasojat kryesore të dhunës psikologjike janë: çrregullime të marrëdhënieve në shoqëri, depresion, ankth, çrregullime të gjumit, të ngrënies, kokëdhimbje, nervozizëm dhe mungesë të iniciativës," tha Tahiri, duke shtuar se kjo pasqyron ndikimin e thellë që ka dhuna në jetën e viktimave, e cila mund të lërë pasoja për tërë jetën e tyre.
Ai theksoi se një viktimë, për të pasur një jetë të shëndetshme dhe sociale menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici ose pas lëshimit nga strehimorja, mund të rimarrë jetën në dorë dhe të vazhdojë përpara. Megjithatë, rastet më të shpeshta kanë nevojë për mbështetje institucionale për t’iu lehtësuar jetën pas daljes nga strehimorja. Në këto raste është punuar për të siguruar një stabilitet emocional që i ndihmon viktimat të tejkalojnë traumat.
“Përjetimet traumatike kanë efekte të gjata, dhe për këtë arsye është e nevojshme mbështetja e vazhdueshme psikologjike që viktima të integrohet në shoqëri. Çdo viktimë e referuar i caktohet një menaxher rasti, i cili është profesionist brenda QPS-së dhe udhëheq procesin e mbrojtjes së viktimës në identifikim, koordinim dhe ofrim të shërbimeve sociale”, deklaroi Tahiri.
Tahiri shtoi se tradita dhe mjedisi patriarkal ende e tolerojnë këtë lloj dhune.
Për të ofruar mbështetje dhe për t’i ndihmuar viktimat të kalojnë traumat, në Gjakovë funksionojnë organizata të ndryshme që ofrojnë shërbime psikologjike dhe psikosociale.
Sipas Erblina Dinaramës, drejtoreshë e Strehimores "Shtëpia e Sigurt", mbështetja për viktimat është e domosdoshme për të siguruar një rikthim në jetën e tyre normale. "Dhuna ka ndikim shumë negativ në jetën sociale dhe ekonomike të grave. Ajo shpesh çon në izolim, humbje të vetëbesimit dhe vështirësi në gjetjen e mundësive për punë dhe integrim social. Gratë që ndihmojmë shpesh kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për t'u rikthyer në shoqëri dhe për të ndërtuar një jetë të re dhe të pavarur," tha Dinarama.
Strehimorja "Shtëpia e Sigurt" ka strehur këtë vit 145 raste nga komunat e Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë këshillim psikologjik dhe mbështetje juridike.
"Ne ofrojmë shërbime rezidenciale 24 orë, duke filluar nga krijimi i një ambienti të sigurt deri te shërbimet shëndetësore, psikologjike dhe psikosociale," tha Dinarama.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përkrahjes financiare për vazhdimin e këtyre shërbimeve: "Mbështetja e vazhdueshme financiare është thelbësore për të siguruar që ne të ofrojmë shërbime cilësore për viktimat," tha Dinarama.
Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, theksoi se një nga pasojat më të rënda të dhunës mbi baza gjinore është ndikimi në shëndetin mendor të viktimave.
Ai shpjegoi se viktimat shpesh përjetojnë ankth, depresion dhe çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD).
"Ankthi dhe depresioni si rezultat i traumës dhe frikës, çrregullimet e stresit post-traumatik, dhe shpesh ndjenja e fajit dhe turpit, krijojnë izolim social për shkak të stigmatizimit ose frikës nga përkeqësimi i dhunës", tha Havolli.
Havolli theksoi rëndësinë e këshillimit psikologjik, duke thënë se ky proces ofron një "hapësirë të sigurt ku viktimat mund të ndajnë përvojat e tyre pa frikë nga gjykimi." Megjithatë, viktimat shpesh hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të turpit dhe paragjykimeve shoqërore.
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës mbi Baza Gjinore mbetet një mundësi e rëndësishme për të adresuar çështjet që lidhen me këtë fenomen dhe për të ofruar mbështetje të qëndrueshme për viktimat.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.











