Prishtina e mbingarkuar me banesa, por vetëm një strehimore për gratë që përjetojnë dhunë
Shkruan: Agnesa Qorri
Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, përballet me një urbanizim të vrullshëm që e ka shndërruar atë në një qendër të mbushur me ndërtime të reja. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 88 mijë e 530 është gjithsej numri i banesave/shtëpive në Prishtinë, prej tyre 27 mijë e 194 janë të pabanuara.
Megjithatë, mes rritjes së numrit të banesave dhe komplekseve rezidenciale, mbetet një realitet i trishtë: gratë që përjetojnë dhunë në familje kanë në dispozicion vetëm një strehimore të vetme për t'u mbrojtur.
Statistikat alarmuese të dhunës
Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë një situatë shqetësuese. Në vitin 2023, janë raportuar 2,639 raste të dhunës në familje, prej tyre 2,120 viktima ishin gra.
Gjatë periudhës janar-tetor 2024, numri i rasteve ishte pothuajse i njëjtë, me 2,574 raportime, 2,055 prej tyre gra. Viktimat shpesh përballen me mungesë mbështetjeje të mjaftueshme institucionale dhe sociale, që e përkeqëson pozitën e tyre.
Dhunë, mbijetesë dhe mungesë ndihme
Jeta (emër i ndryshuar), 39 vjeçare nga Prishtina, ka përjetuar dhunë të vazhdueshme për 14 vite gjatë martesës së saj. Sot, ajo është një grua që përballet me jetën me guxim, duke u përpjekur të ndërtojë një të ardhme të sigurt për veten dhe tre fëmijët e saj. “Unë kam qenë e martuar për 19 vite dhe për 14 vite kam përjetuar dhunë nga bashkëshorti im,” tregon ajo, ndërsa shpjegon sesi ishte detyruar të linte shtëpinë pas një përpjekjeje për ngulfatje nga burri i saj.
Pas një sulmi të fundit fizik në shkurt 2024, Jeta u detyrua të largohej nga Kosova për t’u strehuar te vëllai i saj në një shtet të Evropës Perëndimore. “Pasi shkova tevëllai jashtë, isha duke rënë në depresion të thellë, sepse nuk kisha asnjë zgjidhje.
Kur u qetësova, raportova rastin në polici përmes emailit,” rrëfen ajo.
Kur u kthye në Kosovë, mori një banesë me qira në Fushë Kosovë, ku u përpoq të fillonte nga e para. Megjithatë, sfidat ishin të mëdha. Ajo paraqiti dëshmi dhe fakte për dhunën e përjetuar, përfshirë raportet mjekësore që tregonin se ishte trajtuar në emergjencë pas humbjes së vetëdijes nga dhuna. “Kam pasur edhe tentativa për vetëvrasje nga presioni dhe dhuna, por ia dola të gjej forcën për të luftuar për fëmijët e mi,” thotë ajo.
Sfidat me drejtësinë dhe mbijetesën
Jeta përballet me vështirësi edhe në aspektin ligjor. Megjithëse bashkëshorti i saj u arrestua përkohësisht dhe u mbajt tri javë në burg, ai u lirua me lehtësi, pavarësisht dëshmive të shumta.
“Kam urdhër mbrojtjeje, por ai sillet si bos. Madje, ka hyrë në banesën time dhe vazhdon të jetë i lirë,” shprehet ajo me zhgënjim.
Në fillim, Jeta kërkoi ndihmë sociale, por kërkesa e saj u refuzua. “Kam kërkuar ndihmë të përkohshme derisa të gjeja punë, por më thanë se vajza ime e madhe është 18 vjeç dhe mund të punojë, ndërsa për mua s’kishte asnjë mbështetje,” shton ajo.
Sot, Jeta mban tre punë për të mbajtur fëmijët dhe për të paguar qiranë, kredinë dhe shpenzimet e tjera. Fëmija i saj më i vogël, vetëm 8 vjeç, ka nevojë për mbështetje shtesë në shkollë dhe aktivitete jashtëshkollore për të përballuar traumat e përjetuara.
“Punoj tri punë vetëm që të mos i lë fëmijët keq. Në fillim, ishte e vështirë të gjeja punë, sepse kur tregoja që kam urdhër mbrojtjeje, më refuzonin nga frika e problemeve,” shpjegon ajo.
Jeta thekson se sistemi social dhe drejtësia kanë dështuar ta ndihmojnë atë.
“Shteti asnjëherë nuk më ka thirrur të më pyesë nëse ia dal dot. As për fëmijët nuk më kanë ndihmuar. I vetmi që më ka ndihmuar është vëllai im,” tregon ajo me zhgënjim.
Një strehimore për gjithë Prishtinën
Sipas Drejtorisë së Mirëqenies Sociale, Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ka trajtuar 347 raste të dhunës në familje, nga të cilat 22.77% janë referuar për strehim në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF). Në rastet kur kapacitetet e strehimores tejkalohen, viktimat referohen në strehimore të tjera brenda Kosovës përmes bashkëpunimeve ndërkomunale. Megjithatë, përvojat si ajo e Jetës tregojnë se jo të gjithë kanë përfituar nga këto shërbime.
Sa i përket mbështetjes financiare dhe strehimit, Drejtoria për Mirëqenie Sociale ka zhvilluar një program mbështetjeje që përfshin ndihmë për qiranë e banimit, kostot e jetesës dhe shtesa për fëmijët, me një total deri në 500 Euro në muaj për secilin përfitues. Ky program synon të ndihmojë viktimat për të rikthyer stabilitetin.
Sfidat që paraqet Drejtoria përfshijnë fuqizimin socio-ekonomik dhe sigurimin e banimit të qëndrueshëm. Këto përbëjnë pengesa kryesore për riintegrimin e viktimave dhe përmirësimin e politikave të mbrojtjes sociale.
“Sigurimi i një tranzicioni të suksesshëm nga strehimoret drejt jetës së pavarur është kompleks… Viktimat shpesh kanë nevojë për trajnim, punësim dhe mbështetje të vazhdueshme për të arritur pavarësinë ekonomike…Ndërsa mbështetja financiare ofrohet për periudha të caktuara, mungesa e banesave sociale dhe e një mekanizmi të përhershëm mbetet sfidë. Nevojitet përmirësimi i mëtejshëm i politikave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar një mbrojtje më të fuqishme për viktimat”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale.
Ndërsa ekziston një angazhim për përmirësimin e shërbimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, historia e Jetës ngre pyetje për efektivitetin e sistemit aktual në adresimin e nevojave të menjëhershme dhe afatgjata të viktimave.
Sfida të shumta ligjore dhe sociale
“Një nga sfidat më të mëdha për gratë që përballen me dhunë në familje është qasja e kufizuar në strehim të sigurt dhe mbështetje ligjore efektive,” thotë avokatja Shendrita Muriqi Berisha. Ajo thekson se, edhe pse urdhrat mbrojtës janë një mekanizëm ligjor i rëndësishëm, zbatimi i tyre shpesh mbetet sfidues për shkak të vonesave në sistemin gjyqësor dhe mungesës së ndërgjegjësimit të institucioneve.
“Procedurat shpesh janë të ngadalta, dhe zbatimi jo i rreptë i urdhrave mbrojtës nga autoritetet përbën një pengesë serioze për sigurinë e viktimave,” shton ajo.
Për më tepër, mungesa e strehimoreve të mjaftueshme dhe burimeve të tjera për gratë që kërkojnë mbrojtje i detyron shumë prej tyre të qëndrojnë në ambiente të rrezikshme.
Avokatja Muriqi Berisha, gjithashtu nënvizon rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve të ndihmës juridike falas për viktimat që nuk kanë burime financiare për të mbuluar përfaqësimin ligjor. Sipas saj, bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare mund të përmirësojë qasjen e grave në mbrojtje ligjore dhe përfaqësim dinjitoz.
Ndihmesa për gratë që përballen me dhunën dhe sfida të tjera sociale vjen edhe nga organizata "Follow Up", e cila gjatë vitit 2023 ka ndihmuar 48 gra.
Sipas përfaqësueses së organizatës me të cilën biseduam Agmie Osmani, programet kryesore të "Follow Up" përfshijnë këshillim psiko-social, aftësim
profesional dhe punësim; asistencë në gjetjen e banimit të përballueshëm dhe shërbimeve të kujdesit për fëmijët.
"Follow Up" bashkëpunon ngushtë me institucione si Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Prishtinë dhe Qendra për Punë Sociale, si dhe me organizata si Rrjeti i Grave dhe strehimoret lokale, për të siguruar që gratë të mos kthehen në situata të dhunshme.
E ndërkohë, sikurse Jeta edhe plot gra të tjera kosovare, viktima të dhunës në familje ballafaqohen me sfida, derisa institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm për parandalimin e dhunës dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për jetesë normale.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.