News

Ngacmuesit seksual mbesin në masë të madhe të paraportuar


3566-title

Shkruan: Valona Hasani

“Kam hyp në taksi për në Fushë Kosovë, pasi që mbeta vetëm me taksistin, ai tentonte të shoqërohej me mua, por në fund filloi edhe të më prekte”, kështu nisi rrëfimi i Adelinës (emër i ndryshuar).

Ajo punonte në orarin e pasdites të hënave dhe transporti publik i Prishtinës nuk punonte pas orës 00:00. Adelina udhëtonte me taksi nga Prishtina për në Fushë Kosovë.

“Pasi taksisti filloi të më prekte, natyrisht që reagova, i thashë do të zbres këtu menjëherë, ai madje insistoi të paktën të pimë një kafe”.

Adelina kishte zbritur nga taksi dhe i ishte dashur të thërriste taksi që ishte i regjistruar në Prishtinë për ta dërguar të destinacioni, te banesa e saj. S’e kishte raportuar kurrë rastin në polici në atë kohë dhe për këtë ishe bërë shumë pishman.

“Po të isha kjo vajzë që jam sot, do ta raportoja pa menduar dy herë, por pasi që isha e tmerruar dhe mënyra se si dola nga taksi, nuk mund ta mbaja në mend as tabelën e regjistrimit”, tha ajo.

Mosraportimii rasteve të ngacmimit seksual është një fenomen i zakonshëm në Kosovë, pasi që shumë viktima nuk ndihen të mbështetura nga shoqëria dhe institucionet.

“Shumë viktima nuk i raportojnë as ngacmimet seksuale nga frika e stigmatizimit, fajësimit të viktimës dhe mosbesimit nga shoqëria apo institucionet. Kemi raste të shumta, që madje janë publike, kur viktimat kanë raportuar dhunuesin në Polici dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim”, thonë nga Rrjeti i Gravë të Kosovës.

Ndonjëherë, për shkak të traumave, dhe në raste të tjera për shkak të paragjykimeve, viktimat nuk i raportojnë ngacmimet seksual në polici.

Shqipe Gjocaj, aktiviste e shoqërisë civile tregon se çka e merakos më së shumti rreth kësaj çështjeje.

“Ajo çka më shqetëson shumë është që djemtë dhe burrat që ngacmojnë shumë pak mbahen të përgjegjshëm nga familja dhe e mbarë shoqëria. Mungesa e llogaridhënies ndaj personave që ngacmojnë e thellon çdo herë e më shumë këtë çështje me bazë gjinore, i hesht zërat e vajzave dhe grave, dhe e trivializon ngacmim seksual dhe pasojat afatgjata”, thekson Gjocaj.

Gjocaj shton se një shkaktar tjetër pse ngacmimet seksuale vazhdojnë të jenë fenomen janë edhe rastet kur personat me uniforma janë të veshur me norma patriarkale dhe kanë tendencë të mos i marrin seriozisht rastet e ngacmimeve seksuale.

As Besarta (emër i ndryshuar) nga një komuën afër Prishtinës, kurrë nuk e kishte raportuar rastin e saj në polici. Ajo ishte nisur për në Prishtinë me autobus. Ishte ulur saktësisht në ulësen e tretë nga dritarja. Rrugës për në Prishtinë e kishte zënë gjumi, në ndërkohë afër saj ishte ulur një djalë rreth të 40-tave, dhe e kishte parë vetëm pasi që ishte zgjuar nga prekjet e tij në këmbën e saj.

“Ishte shumë e rëndë, dora e tij ishte në këmbën time, isha komplet e shokuar, bërtita a do të rrish ti në këtë autobus, a po unë, shoferi e largoi atë nga autobusi, por unë s’mund ta merrja veten me vite të tëra”, thotë ajo.

Besarta tregon që nga traumat e kishte bërë zakon sa herë që ulej në autobus apo në taksi ta vendoste çantën në preherin e saj.

Sipas statistikave që i posedon Policia, vetëm gjatë 10 muajve në stacionet policore në qytetet e Kosovës janë raportuar 89 raste të ngacmim seksual, 69 raste dhunim dhe 61 raste sulm seksual.

AD_4nXdFYzM1K7jqtypazf2dVShKxJDCoTgbmdYSBYYmYIj2Ac_SyB75AQQx7X3ed9ZN8KgN7DiWrx643oJewtrMA3Au7K5IyG3cTFwPjeys5G8ieBiPl5a_X3Z_LW53jrbecAGQUAqf3SQkCZqqyR-MJrc?key=nqjY2R3Z4Q-iGIpDoBFIH6qX

Nga Ministria e Drejtësisë thonë që janëtë angazhuar për të adresuar këtë fenomen. Që nga viti 2019, ngacmimi seksual është i kategorizuar si vepër penale dhe është përfshirë në Ligjin për Barazi Gjinore dhe atë për Mbrojtje nga Diskriminimi. Pavarësisht përparimeve, ende kërkohen reforma të mëtejshme ligjore për të përshpejtuar procedurat gjyqësore dhe për të ofruar mbrojtje më të madhe për viktimat. Përveç kësaj ngacmimet seksuale ndëshkohen edhe me Konventën e Stambollit.

“Përballu me abuzuesin, raporto”

Vetëdijesimi i grave për ta raportuar ngacmimet seksuale është rritur ndër vite. Adelina edhe Besarta në pyetjen e bërë sa a ishin pishman që nuk kishin raportuar, të dyja dhanë përgjigjën e njëjtë, duke thënë bindshëm që po, pa menduar dy herë.

Në përgjigjet e Ministrisësë Drejtësisë thuhet se është hartuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave për periudhën 2022 – 2026, një iniciativë e cila ka për qëllim të përmirësojë mbrojtjen e grave dhe të mbijetuarave nga dhuna.

Në të njëjtën kohë, RrGK thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit publik përmes fushatave sensibilizuese në media dhe rrjete sociale. Rasti i publikimit të historive të vërteta të viktimave, angazhimi i figurave publike për të folur hapur kundër ngacmimeve, por edhe edukimi i rinisë në shkolla dhe universitete për të sfiduar normat gjinore.

Në kontekstin e luftës kundër ngacmimeve seksuale, shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në edukimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit.

Sipas Gjocajt veprimet që duhet të merren nga shoqëria civile dhe institucionet e drejtësisë janë të shumta dhe të nevojshme.

“Për institucionet: Është me rëndësi të promovohen shembuj konkret kur ngacmimi seksual është dënuar nga institucionet tona sipas dispozitave të Kodit Penal. Për shoqërinë civile: Masat kryesore që mund t’i ndërmerr shoqëria civile është të vazhdojë të edukojë masën rreth ngacmimit seksual. Përmes edukimit të fëmijëve dhe prindërve, nxënësve dhe arsimtarëve, por edhe përmes trajnimeve për të punësuarit kudo në institucione, në ato qeveritare e joqeveritare”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, sociologu Bekim Selishta, jep disa detaje të tjera se si mund ta luftojmë këtë temë shumë të përhapur në Kosovë.

“Për ta trajtuar këtë fenomen në mënyrë efektive, është thelbësore të rritet niveli i emancipimit dhe vetëdijes në shoqërinë tonë, duke përfshirë të dy gjinitë. Edukimi dhe sensibilizimi për kufijtë etikë dhe ligjorë duhet të fillojë që nga mosha e hershme dhe të përforcohet në të gjitha nivelet e arsimit dhe punësimit”.

Një nismë që synon rritjen e ndërgjegjësimit është edhe fushata globale ‘"16 Ditë Aktivizmi", që realizohet në kuadër të Ministrisësë Drejtësisë.

Kjo fushatë përfshin aktivitete të shumta që përfshijnë edukimin dhe sensibilizimin e shoqërisë për të ndaluar këto fenomene dhe për të mbështetur viktimat.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: