News

Gratë e Dragashit: Zëri i heshtur, historitë e dhunës dhe lufta për shpëtim


3567-title

Shkruan: Fjolla Demaku

Dragashi (Sharri), një komunë që ndodhet në jugperëndim të Kosovës, shquhet për peizazhet e bukura natyrore dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Ky rajon njihet për histori të mbushura me sfida për zhvillim social-ekonomik, por historia e grave të Dragashit vazhdon të qëndrojë nën hije, e shoqëruar me përjetime të dhimbshme, përfshirë dhunën dhe diskriminimin që kanë përjetuar ndër vite.

Përvoja të tilla shpeshherë kanë mbetur të heshtura, por kjo nuk nënkupton se gratë e Dragashit i nënshtrohen sistemit patriarkal dhe nuk janë të zëshme për të drejtat e tyre.

Bazuar në një raport që Instituti GAP kishte publikuar në vitin 2012/13 mbi problemet kryesore të Komunës së Dragashit, dy më të rëndësishmet ishin:

  • Niveli i ulët i pjesëmarrjes së grave në arsim dhe punësim (vetëm 5% e grave janë të punësuara, ndërsa rreth 90% janë jashtë tregut të punës dhe vetëm 15% e grave kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërsa 2% kanë një diplomë universitare);
  • Dhuna në shkolla.

Mundësitë e pakta për shkollim dhe punësim ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e çdo gruaje, duke i penalizuar nga njohja e të drejtave të tyre dhe nga vendimet e tyre mbi çështjet e martesës dhe krijimit të familjes.

Raportimet nga mediat për rastet e dhunës dhe vrasjeve të grave në Dragash janë nganjëherë të mangëta, pasi rastet e tilla nuk raportohen nga vetë viktimat. Mosraportimi i rasteve vjen si pasojë e frikës dhe pamundësisë për të ndërmarrë hapa të sigurt për shpëtimin e jetëve të tyre.

Në një intervistë me zyrtaren për barazi gjinore të Komunës së Dragashit, znj. Lindita Piraj, kuptohet se punësimi i grave vazhdon të jetë i ulët, përveç në sektorin e arsimit. Ajo shton se sot shkollimi është përmirësuar, por tregu i punës mbetet sfidues.

Piraj thotë se ka raste të dhunës që nuk raportohen, për shkak se zona është konservatore. Megjithatë, rastet e raportuara trajtohen nga mekanizmi komunal kundër dhunës në familje.

Shumica e rasteve në Dragash janë recidiviste dhe autorët e veprave shpesh janë persona me probleme të shëndetit mendor.

“Para dy vitesh kemi pasur një rast që rezultoi me vdekjen e një gruaje. Rasti u trajtua nga institucionet sipas ligjit në fuqi, por mungesa e kapaciteteve për trajtimin e personave me të meta mendore e përfundoi në atë mënyrë. Sa i përket mbështetjes, kemi përkrahje nga UN Women - Zyrja në Kosovë për vite me radhë. Në Kosovë, riintegrimi i viktimave në përgjithësi është problem, dhe kjo na penalizon edhe në raportimin e dhunës nga viktimat, sepse dhuna raportohet vetëm kur gruaja mbështetet për muri”, deklaron Piraj.

Si në çdo komunë të Kosovës, edhe në Dragash, Qendra për Punë Sociale përpiqet të përmbushë misionin e saj.

Drejtori i QPS-së në Dragash, Ibrahim Gashi, thotë se rastet e dhunës rrallëherë referohen drejtpërdrejt nga viktimat.

“Zakonisht referohen nga policia dhe në çdo rast të dhunës, ne si QPS asistojmë në polici gjatë procesit të intervistimit të viktimave. Këtë vit kemi trajtuar 13 raste të dhunës në familje. Për viktimat e dhunës në baza gjinore, ne si Qendër për Punë Sociale ofrojmë mbrojtje, rehabilitim dhe riintegrim të viktimave në shoqëri. Çdo rast i dhunës që raportohet në QPS trajtohet me prioritet dhe caktohet një menaxher i rastit për mbrojtjen e viktimës”, thotë ai.

Historia e gruas në Dragash vazhdon të jetë e hidhur, megjithëse me disa përparime të vogla. Por gratë e këtij lokaliteti ende vazhdojnë të luftojnë për shpëtim.

--

Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Share this Post: