“Frikësohem ende prej tij”: Gratë e komuniteteve me plot sfida deri te raportimi i dhunës
Shkruan: Shqipe Pajaziti
"Frikësohem ende prej tij...sa rastet e vrasjeve po ndodhin", kjo është brenga e një gruaje edhe pas divorcit.
Pas më shumë se dhjetë vjet martesë, Flutura, e cila flet në kushte anonimiteti, u detyrua të dalë nga shtëpia dhe të kthehet tek babai, bashkë me katër fëmijë.
E mbijetuara e dhunës, përveç shenjave në trup nga keqtrajtimet, nuk harron asnjëherë çfarë përjetoi për tri vjet radhazi.
Tridhjetë vjeçarja nga Prishtina e raportoi dhunën në Policinë e Kosovës tri herë. Shpresonte se ish-bashkëshorti do të ndryshonte, por nuk ndodhi ashtu...
"E kam lajmëruar në polici dy-tri herë. Gjithmonë duke menduar 'hajt se bëhet mire, për hatër të fëmijëve'. Ndryshonte për një javë, dy javë, por pas një jave ndodhte e njëjta. Kurrë nuk ka mundur të ndryshojë. Isha duke i rritur fëmijët, thosha që ndryshon. Dhuna e fundit ka qenë më e keqe, se qaty ja gjeta drogën. Vet e pranoi që nuk mund ta lë drogën", rrëfen ajo.
Kujtimin më të hidhur e ka ditën kur përjetoi dhunë pasi vendosi përfundimisht të largohet nga shtëpia, me katër fëmijët.
"Kur vendosa të ndahem nga ai, më ka kapur për fyti. Aty ka qenë edhe policia. Më ka kërcënuar, kam inçizime që më ka thënë 'do t'i thyej eshtrat'. Kam shumë fakte. Ai u lirua me kusht, pas dy vjet e pak muaj", shprehet gruaja nga Prishtina.
Ajo tregon se, në gjendjen e ekonomike në të cilen ndodhet, e ka shumë të vështirë të rris fëmijët e saj. Ndihmë e ka vetëm babain e saj i cili punon me hekura. Përveç vështirësive, thotë se po jeton ende me frikën nga ish-bashkëshorti i saj.
"Frikësohem ende prej tij...sa rastet e vrasjeve po ndodhin", flet me brengë 30-vjeçarja e komunitetit ashkali.
Rasti i Fluturës, është ndër të paktat kur gratë e komuniteteve pakicë marrin guximin që të raportojnë dhunën pranë Policisë së Kosovës.
Nga janari deri në tetor të 2024-ës, në Policinë e Kosovës janë raportuar 2.585 raste të dhunës në familje. Shumica prej viktimave janë shqiptarë, ndërkaq 43 janë romë, 110 ashkali dhe 31 egjiptianë. Numër i vogël i grave nga këto komunitete u strehuan edhe në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.
"Në strehimoren e Prishtinës, nga janari deri në nëntor të këtij viti janë trajtuar mbi 140 raste. Prej këtyre rasteve kanë qenë 24 gra e fëmijë nga komuniteti romë, ashkali e egjiptian", njofton drejtoresha Zana Hamiti.
Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), konsideron se gratë e komuniteteve nuk kanë informacion të duhur lidhur me raportimin e dhunës në familje.
"Konsideroj se gratë rome, ashkali dhe egjiptiane kanë shkallë më të ulët të raportimit të dhunës në familje. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e sfidave të shumta me të cilat ballafaqohen të njëjtat, duke filluar nga diskriminimi i shumëfishtë që e përjetojnë, mungesa e informacionit të duhur përkitazi me të drejtat e tyre dhe mundësitë e raportimit, por edhe përkrahjes institucionale që u takon. Është shumë e rëndësishme që institucionet shtetërore të intensifikojnë punën në parandalimin e dhunës në familje, në veçanti përmes fokusit edhe tek vetëdijesimi i grave që vinë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptiane, përkitazi me të drejtat e tyre, meqenëse qasja e tyre në drejtësi jo çdo herë del të jetë e barabartë me të gjithë qytetarët në vend", deklaron Rezniqi.
Nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE) thonë se qasja e kufizuar në arsim cilësor, është sfida kryesore.
"Shumë gra nga këto komunitete nuk përfundojnë arsimin bazë për shkak të varfërisë, diskriminimit dhe normave tradicionale që favorizojnë djemtë për shkollim. Kjo mungesë arsimimi ndikon direkt në mundësitë e tyre për punësim dhe përfshirje politike. Për më tepër, normat patriarkale dhe stereotipet gjinore vazhdojnë të jenë barriera të mëdha. Gratë shpesh kufizohen në role tradicionale si kujdestare të familjes, duke i penguar ato të kontribuojnë në sfera publike dhe ekonomike", thonë nga VORAE.
Edhe drejtori i organizatës joqeveritare "Roma in Action", në Gjakovë, Emrah Cermjani thotë se mungon vetëdijësimi në zonat rurale të banuara nga komunitetet.
"Kauza e vetëdijësimit duhet të vazhdojë edhe me tej sidomos tek banorët e këtyre komuniteteve të cilët jetojnë në zona rurale, e të cilët ndoshta kanë kufizime në marrjen e informacioneve në lidhje me formën e raportimit të saj dhe rrugëtimin të cilët ata duhet të ndjekin për ta raportuar, dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse pikërisht organizata jonë 'Roma in Action' ju bashkua kalendarit të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore në Komunën e Gjakovës, duke realizuar aktivitete të ndryshme, ndër të tjera edhe takime derë në derë sidomos në zonat rurale", shprehet ai.
Për raportimet e pakta të dhunës në familje nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, janë të informuara edhe institucionet vendore.
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë thotë se janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes.
"Si Ministri e Drejtësisë ne në vazhdimësi jemi ne komunikim me të gjitha komunitetet duke përfshirë edhe komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ajo çka neve si shoqëri na shqetëson janë martesat e hershme në mesin e këtij komuniteti e të cilin tashmë e kemi ndaluar me Kodin Penal. Qeveria e Republikës së Kosovës ka formuar grupin ndërministror i cili është në fushëvepriminin e tij për ngritjen e vetëdijes dhe raportimit edhe të martesave të hershme dhe raportimit për dhunë në familje dhe dhunës ndaj grave", deklaron ajo.
Grupi Punues Ndërinstitucional kundër martesave të hershme po punon në parandalimin e kësaj dukurie, thotë kryesuesja Elizabeth Gowing.
"Kemi hartuar bashkë një plan veprimi shumë ambicioz dhe një pjesë e tij është vizita nëpër komuna me popullata ma të mëdha të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku e dimë që fenomeni i martesave të hershme është më i theksuar. Këtë e dimë nga hulumtimi i UNICEF-it bashkë me Agjencinë e Statistikave të Kosovës në vitin 2020 ku mes grave te komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të moshës 20-24, tridhjetë e një për qind (31%) ishin të 'martuara' para moshës 18 vjeç. Kjo nënkupton qindra vajza dhe djem që preken nga kjo lloj dhune në familje çdo vit", thekson Gowing.
Gjatë pesë muajve të kaluar, thotë ajo, janë vizituar 13 komuna për të diskutuar për martesat e hershme dhe dhunën në familje, ku pjesë e takimeve kanë qenë përfaqësuesit komunal, komandantët e policisë, institucionet shëndetësore, Qendrat për Punë Sociale, zyrtarë për te drejtat e njeriut dhe për barazi gjinore e forume të grave asambliste.
"Gati në çdo bisedë ështe ngritur çështja e dhunës në familje dhe fenomenit të martesave të hershme tek komunitetet. Ndonjëherë dhuna është shtyese për një martese të hershme [nëse një vajzë jeton në një familje me dhunë, ajo mund të mendojë që largimi për një 'martese' nën moshën 18 është mënyrë që të shpëtohet] por shpesh martesat e hershme janë shkaktare për dhunë në familje", thekson kryetarja e grupit ndërinstitucional.
Grupi Punues ka krijuar një mundësi brenda platformës www.raportodiskriminimin.org për raportimin e rasteve të martesave të hershme në mënyrë anonime dhe konfidenciale.
Flutura bën thirrje që edhe gratë e tjera të raportojnë dhunën në familje.
"Ky është një gabim - që ta tolerojmë dhunën, ne mendojmë që del na vran dhe gjynah prej fëmijëve. Nuk jemi kafshë që dikush të na rrah", thotë Flutura.
*Flutura është emër i vendosur me qëllim të mbrojtjes së identitetit të viktimës
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.