Dëgjimi aktiv, mbështetje për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore
Shkruan: Erblina Krasniqi
Të dëgjosh në mënyrë aktive nuk është thjesht të pranosh tingujt e një bisede. Është më shumë se kaq, është të ndjesh peshën e heshtjeve, të kuptosh atë që nuk thuhet me zë dhe të krijosh një hapësirë ku dikush mund të flasë pa frikë. Dëgjimi i vërtetë nuk ndodh vetëm me veshët, por edhe me zemrën, me durimin dhe me praninë e plotë. E këte lloj mbështetje, në shumë raste, nuk e pati e mbijetuara e dhunës me bazë gjinore V.T, e cila thotë se ky fakt e ka bërë të ndihet sikur është e vetme.
“Jam ndje e lënduar dhe sikur askush nuk po ma vë veshin se unë kam një brengë brenda vetës dhe dua që të më ndihmojnë me aq sa munden që unë të ndihem mirë. Më ka bërë të ndihem sikur nuk më kanë respektuar apo vlerësuar mjaftueshëm që të më dëgjojnë çfarë kërkoj”, tha e mbijetuara.
V.T, e cila tashmë është pjesë e një prej strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në Kosovë, shprehet se ka një përvojë të mirë aty, pasi është ndier e mirëpritur dhe e sigurt që në fillim. Megjithatë, para se të arrinte në këtë pikë, ajo ndan me ne edhe pasojat e tjera, që janë rezultat i mungesës së dëgjimit aktiv nga të tjerët karshi saj.
“Mendoj që këto raste më kanë bërë shumë herë të përjetoj pasiguri brenda vetës, të më rrisin më shumë stresin e të ndihem e bllokuar, deri sa kam hasur në persona që dijnë të më dëgjojnë dhe të mos mbingarkohem më emocionalisht”, tha ajo.
Ndërkohë, se mungesa e dëgjimit aktiv i hesht të mbijetuarat dhe pengon procesin e tyre të shërimit, e thekson edhe drejtoresha e strehimores “Shtëpia e Sigurt” në Gjakovë, Erblina Dinarama.
“Shumë nga gratë që vijnë në strehimore na thonë se një nga arsyet pse kanë qëndruar për kaq gjatë në situata të dhunshme është mungesa e mbështetjes dhe dëgjimit nga të afërmit”, tha ajo.
Të mbijetuarat, të cilat marrin vendimin për t’u larguar nga dhunuesit, e gjejnë veten para dyerve të një objekti krejtësisht të ri, i cili për një periudhë të pacaktuar do të jetë shtëpi për to. Disa prej tyre janë të vetme, ndërsa disa janë me fëmijë. Sidoqoftë, në fillim ato mund të ndihen ende të pasigurta dhe të ndrojtura. Dinamara, tregon se një nga sfidat kryesore, veçanërisht në fazat e para të mbështetjes, është që shumë nga të mbijetuarat vuajnë nga mungesa e besimit. Megjithatë, ajo thekson se kjo është një fazë që kalon me kohë, duke marrë edhe mbështetjen e duhur nga strehimorja.
“Për të tejkaluar këtë, krijojmë një mjedis të ngrohtë dhe të besueshëm, ku çdo histori është e vlefshme dhe nuk gjykohet”, shtoi tutje drejtoresha, duke përmendur edhe aplikimin e teknikave të komunikimit empatik dhe të tjera, për të cilat personeli i kësaj qendre është trajnuar.
Se dëgjimi aktiv është shumë i rëndësishëm në mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore, na e thotë edhe vetë psikologia klinike, Donika Shahini Lami. Ajo shton se dëgjimi aktiv ndihmon në përmirësimin dhe përshpejtimin e procesit të shërimit, duke theksuar edhe rolin që ka në aspektin psikologjik të të mbijetuarave.
“Dëgjimi aktiv i mundëson atyre të rindërtojnë vetëvlerësimin dhe besimin tek vetja duke ju mundësuar të shprehin ndjenjat e trishtimit, zemërimit, frikës dhe dhimbjes që mund të jenë pasojë e përvojës së dhunës”, tha psikologia.
Ndërkohë, Shahini Lami na informon edhe për shenjat që tregojnë se një e mbijetuar po ndihet e dëgjuar dhe e kuptuar. Sipas saj, këto shenja mund t’i lexojmë nga:
• Shprehja e emocioneve dhe mendimeve pa frikë
• Bashkëbisedimi i qetë dhe i natyrshëm
• Përdorimi i frazave që tregojnë mirënjohje
• Bashkëbisedimi me sy dhe shprehje trupore
• Përmirësimi në nivel emocional
• Duke kërkuar më shumë biseda dhe ndihmë
“Këto shenja tregojnë se e mbijetuara ka krijuar një lidhje besimi dhe mbështetjeje me atë që e dëgjon dhe se është në një rrugë shërimi emocional dhe psikologjik”, shtoi tutje ajo.
Sipas statistikave te ofruara nga Ministria e Drejtësisë në “Databazën për evidentimin e rasteve të dhunës në familje”, vetëm gjatë periudhës janar - dhjetor 2024, janë regjistruar 2385 gra si viktima të dhunës në familje. Derisa, gjatë po të njëjtës periudhë, 223 gra dhe 260 fëmijë janë strehuar si pasojë e dhunës në familje.
--
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.











